Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, teksa ka reaguar ndaj situatës së tensionuar në veri të Kosovës, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Xhaçka ka thënë se Shqipëria kërkon heqjen e menjëhershme të barrikadave.
Sipas saj, është e rëndësishme që të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit.
“Shqipëria i bashkohet thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja, nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it dhe përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri.
Po ashtu, Borrell ka thënë se serbët duhet t’i heqin menjëherë barrikadat e vendosura në Rudarë në hyrje të Sveçanit.
“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it ose përdorimi i akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.
Vendosja barrikadave në Rudarë erdhi në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.
Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë.