Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.
“Sulmet ndaj institucioneve të Republikës, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe barrikadimi dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cënojnë rendin kushtetues të Republikës prandaj si të tilla ato janë të papranueshme”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka shtuar se LDK-ja i dënon “ashpër këto veprime dhe kërkon që autorët e sulmeve të sillen para institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, ai ka theksuar se LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, “si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë”.
Mes tjerash Hoti ka potencuar se LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.
Sipas tij, në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që “do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri”.