Britania e Madhe, ashtu sikurse edhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, ka kërkuar menjëherë të hiqen barrikadat ilegale të vendosura në rrugët që çojnë në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak.
Përmes një komunikate për media, Britani e Madhe, ka theksuar se i dënon fuqishëm sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.
“Presim që të gjitha pengesat ilegale të hiqen dhe t’i jepet fund kërcënimeve, dhunës dhe frikësimit. Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm dhe i cilësojmë si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.
Në këtë reagim, thuhet se arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj institucioneve të sigurisë nuk mund të përdoret si arsyetim për vendosjen e barrikadave ilegale.
“Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
Po ashtu, Britani ka bërë thirrje gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin retorikën nxitëse dhe të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një deeskalim të situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara”, thuhet në reagim.