Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ishte pjesëmarrës në forumin e nënoficerëve të organizuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ministri Mehaj ka njoftuar se qëllimi i këtij forumi ishte nxjerrja e konkluzioneve që do të ndikojë në përmirësimin e aspektit organizativ dhe operacional të FSK-së.
“Ngase përmes nënoficerëve të përgatitur profesionalisht dhe të motivuar shpirtërisht, sigurohet udhëheqja e duhur në mesin e ushtarëve dhe funksionimi i mirëfilltë i hallkës organizative, duke siguruar kështu realizimin e synimit që komanda të shkëlqejë në përmbushjen e vizionit të Komandantit dhe të objektivave të FSK-së”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ndërkaq, Mehaj ka theksuar se si ministër i Mbrojtjes, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të jenë në mbështetje të korit të nënoficerëve dhe të gjithë ushtarakëve që janë boshti kurrizor i Ushtrisë së Kosovës, “dhe promotor në përmbushjen e standardeve euroatlantike”.