Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të deputetit të Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, nëpërmjet një lidhje direkte së bashku me deputetët e Parlamentit Evropian, ka marrë pjesë në diskutimin me temë “Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE: Si do të jetë një sukses për të gjithë Evropën”.
Kryeministri Kurti është shprehur se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që aplikon për anëtarësim, para se të rendiste disa nga arsyet kryesore të aplikimit e të cilat përputhen edhe me vetë titullin e diskutimit.
“Së pari, vendimi për aplikim në Bashkimin Evropian i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Republikës që thellësisht besojnë se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian, theksoi kryeministri”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka shtuar se aplikimi përmbush dhe synon që ta realizojë premtimin e BE-së gati 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut.
“Së treti, besimi se momenti është i duhur duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon, tha kryeministri Kurti”, thuhet tutje në njoftim.
“Ai falënderoi deputetin e Parlamentit Evropian, Mandl, për ftesën dhe mundësinë e dhënë, dhe në të njëjtën kohë falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, si në rastin e liberalizimit të vizave edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu Këshillin e Evropës”, vijon njoftimi.
Mes tjerash, pjesëmarrës në këtë diskutim ishin edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola Von Cramon dhe nënkryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Zeljana Zovko.