Për të tretën ditë me radhë, rrugët në Veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, që autoritetet në Kosovë thonë se dyshohet për sulme ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri.
Një nga barrikadat që ende po qëndron aty është në Zubin Potok, derisa KFOR-i për shkak të bllokimit të rrugës po i shfrytëzon për patrullim rrugët alternative.
Lidhur me këtë situatë të krijuar, më herët KFOR-i ka kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe Serbisë që çështjet t’i zgjidhin përmes dialogut.
“E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
KFOR-i ka theksuar se mbetet vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.