Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të martë do ta presë në takim përsëri përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, edhe pse me të ishte takuar një ditë më parë.
Bashkë me Escobar, në vizitë Kurtit do t’i shkojë edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim pritet të diskutohet për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, dhe vendosjen e barrikadave nga serbët e asaj ane.
Pas takimit me Kurtin, Escobar do të niset për në Beograd, ku pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Temat për të cilat do të diskutojë atje, sipas Danas, nuk do të ndryshojnë shumë nga agjenda e bisedimeve në Kosovë.
Escobar pritet që me zyrtarët e Serbisë, të diskutojë për situatën aktuale, heqjen e barrikadave në veri dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Po ashtu, pritet të diskutohet edhe për propozimin franko-gjerman për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Escobar do të bisedojë me udhëheqësit e Serbisë edhe për sanksionet amerikane, të cilat tashmë janë vendosur ndaj Milan Radojçiq dhe Zhlejko Veselinoviq.