Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë duke punuar për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët në veri të vendit, derisa ka dënuar sulmet ndaj Policisë, institucioneve dhe gazetarëve pas përshkallëzimit të situatës.
Në një bisedë telefonike në emisionin “Magazina” me Blerina Neziri – Abazi dhe Lirik Sylmetaj, në Radio Dukagjini, Bogujevci, kërkoi që të shtohet presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe i quajti të papranueshme këcënimet që vijnë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
“Nuk mund të mbesim në një status quo në këtë pjesë. Duhet të shtohet presioni i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Vuçiqit, i cili vazhdimisht po dërgon mesazhe kërcënuese. Kërcënimet janë të papranueshme. Në anën tjetër, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha hapat për të qetësuar situatën e krijuar në këtë pjesë të vendit. Jemi duke punuar për heqjen e barrikadave, por aktualisht duhet qetësi nga të gjithë, në mënyrë që të shmangim ndonjë situatë të padëshirueshme”, ka thënë Bogujevci, për Radio Dukagjini.
Ajo ka dënuar sulmet që janë bërë ndaj Policisë, institucioneve dhe gazetarëve pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“Dënoj sulmet ndaj gazetarëve që u janë bërë gjatë kohës kur ata ishin duke kryer detyrën e tyre, siç edhe dënoj sulmet ndaj Policisë së Republikës së Kosovës dhe insitucioneve të tjera. Këto sulme janë të papranueshme sepse Policia jonë, si në çdo pjesë të Kosovës edhe në veri, është për të ofruar një mjedis të qetë për të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve në vendin tonë”, ka thënë Bogujevci.
Nënkryetarja e Kuvendit ndër të tjera shprehet e bindur se Policia e Kosovës, siç ka thënë ajo, është shumë profesionale dhe ka bërë të gjitha matjet për të shmangur çfardo incidenti që do të mund të ndodhte në këtë situatë.