Haradinaj flet pas takimit me Escobar: Mënyra se si po vepron qeveria jonë është kundër Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është diskutuar për gjendjen në veri. Ai ka shtuar se Amerika ka një fokusim të madhë, gjë që sipas Haradinajt, ka bërë që të arrihet qetësi në Veri të vendit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj





Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për emisionin “Five” në RTV Dukagjini, ka treguar se në takimin me përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë diskutuar disa tema, por me theks të veçantë situata në Veri të vendit dhe arritja e një marëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas Haradinajt, është treguar fokusim i madh i Amerikës për ndihmë ndaj Kosovës.

“Së pari ishte shumë e mirëseardhur kjo vizitë dhe është në kohë mjaft të ndishme. Pjesa kryesore e bisedës i është dediku pra zhvillimeve të fundit pra gjendjes në vend me theks të veçantë edhe në Veri edhe vërtetohet një angazhim serioz, një fokusim i madh i Amerikës për gjendjen në Kosovë, për gjendjen në veri, por edhe për dialogun në këtë rast për njohje ose për normalizim. Kryesisht këto ishin ato që u diskutuan sot”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se tashmë është arritur një qetësi e gjendjes në Veri, pasi Amerika po e trajton seriozisht atë.

“Edhe më herët në një deklaratë të përbashkët të ambasadave në Kosovë e në Serbi u tha që kërkohet heqja e barrikadave, pra ishte kërkesë urgjente hekja e barrikadave, ndërprerja e akteve të dhunës, por edhe ndërprerja e retorikës nxitëse ose veprimeve nxitëse, ishte mjaft siguruese, pra na siguron se Amerika seriozisht e trajton gjendjen në Veri. Jam i bindur se rezultatet e këtij angazhimi veç i ndjejmë se pak është qetësuar gjendja, presim që të hiqen edhe barrikadat”, ka theksuar Haradinaj.

Ndër të tjera, ai ka çmuar punën e Policisë së Kosovës, duke shtuar nevojën e arritjes së një normaliteti, pasi atëherë do të kthehet vëmendja te marrëveshja Kosovë-Serbi, e cila sipas tij, e ka bazën e njohes.

“Kjo qetësi që ka ardhur është rezultat i amerikanëve, çmohet shumë roli i policisë sonë, angazhimi për rend ligj dhe siguri, por kërkohet edhe normaliteti i plotë në Veri, pra edhe kthimi në vende të punës i serbëve, marrja e përgjegjësive të tyre në kuadër të sistemit të Kosovës dhe njëkohësisht kthimi në normalitet në mënyrë që vëmendja të kthehet te marrëveshja finale, pra Kosovë- Serbi”, ka bërë të ditur Haradinaj.

I pari i AAK-së beson se është arritur një lloj normaliteti dhe meritat për këtë, sipas tij, i kanë Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffry Hovenier dhe QUINT.

“Besoj ka filluar kthimi në normalitet, e pamë edhe prej mediave që e kishin zhvilluar edhe një takim me Listën Serbe, besoj që kjo është një dëshmi, pra se Amerika, pra zotëri Escobar dhe ambasadori Hovenier janë aktivë dhe ashtu edhe QUINT-i, dhe jam i bindur se do të ketë përparim pra drejt normalizimit, me siguri që nuk do të kemi më akte të dhunës dhe incidente, pra nuk do të lejohen edhe do të shkohet ka kthimi i gjendjes normale, pra heqja e barrikadave, qarkullimi i lirë, po edhe mbushja e vakuumit institucional”, u shpreh Haradinaj.

I pyetur për zyrtarët që janë dorëhequr, Haradinaj u shpreh se ka zgjidhje pasi ka zyrtarë policorë, të cilët dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Ka zgjidhje për këto situata, nuk themi që duhet të ndodhë një kthim bllok, por me siguri ka mjaft zyrtarë policorë që dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, Kushtetutën e Kosovës edhe zyrtarë tjerë të Gjykatave, Prokurorisë, pra duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të funksionojë rendi e ligji dhe të hapen rrugët, të hapen pikat kufitare dhe të kthehen në normalitet atje”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, për takimin me Escobar, ai tregoi se të tre kryetarët e partive politike ishin në takim së bashku me të.

“Të tre kryetarët e partive politike parlamentare ishim në takim së bashku me Gabriel Escobar”, ka deklaruar Haradinaj, duke e falënderuar Escobar për angazhimin dhe kujdesin ndaj Kosovës, gjersa ka shtuar se ata po punojnë që Kosova të hapë perspektiva të reja.

“Tani, ata e kanë thënë disa herë se marëdhëniet me Kosovën nuk i kanë të bazuara vetëm në politikanë të caktuar, apo vetëm në Qeveri, por në gjithë popullin e Kosovës, por këto marëdhënie i ruajnë edhe me ne, pra me kryetarët e partive opozitare. Unë personalisht kam komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm edhe të përditshëm për çështjet që janë me rëndësi për vendin, çdo herë me idenë që angazhimi amerikan, pra ta gjejë edhe përkrahjen në Kosovë nga gjithë ne, në mënyrë që t’i kryjenë punët e mbetura në Kosovë. Pra, mendoj që puna kryesore është marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të hapet përspektiva për Kosovën për partneritet dhe paqe, që është etapa e parë drejt NATO-s dhe të zhbllokohet, pra perspektiva e Kosovës për antarësim në OKB dhe BE”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka kritikuar qeverinë aktuale, duke e cilësuar si të atillë që nuk po punon për ruajten e sigurisë në vend.

“Ne i falënderojmë për angazhim, për kujdesin, për gjendjen, ne kemi qenë mjaft të kujdesshëm të mos lakmojmë në populizëm, të mos lakmojmë vetëm në pak vota emocionale, por ta ruajmë sigurinë në vend, ta ruajmë tërësinë në territorin, sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, refuzimi i kërkesës për targat e ka çuar Kosovën në vështirësi dhe dëme, të cilat sot po ndodhin.

“Sikur të kishim ndërmarrë veprime të duhura, të drejta, gjendjen do ta kishim shumë më mirë, pra sikur kryeministri të kishte pranuar në kohë propozimin amerikan për shtyrjen e vendimit për tabelat, e jo pasi u keqësua situata u dorëzua në mënyrën më të keqe, ka mundur në kohë me nder ta arrijë një marrëveshje me Amerikë, në mënyrë që pastaj përgjegjësia të bartet te Serbia. Refuzimi i kësaj kërkese e ka qitur Kosovën në pozitë të keqe dhe na ka vështirësuar implementimin e shumë çështjeve me interes për Kosovën në Veri. Mirëpo, ne nuk guxojmë të heqim dorë asnjëherë nga e drejta jonë kushtetuese dhe nuk guxojmë të lejojmë bandat kriminale në veri ta marrin kontrollin atje, mirëpo mënyra si e bëjnë këtë ka shumë rëndësi. Ju jeni në dijeni se në të kaluarën, Policia e Kosovës i ka ushtruar krejt detyrat e veta sikur në rastin e bllokimit të rrugëve apo raste tjera, mendoj se Kurti e ka dobësuar pozicionin e Kosovës me këtë ikjen prej sugjerimeve amerikane në vështirësi, e dorëzimin pastaj pasi është krijuar një dëm i caktuar”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se Kosova do të mund të përfitonte nëse marrëveshjet do të ishin pranuar më herët.

“Gjitha ato që ka mundur të pranohen në kohë e të përfitojë Kosova, ky i ka pranuar në versionin më të keq, më vonë pasi ka humbur Kosova, shiheni situatën sot ku jemi, policët të barrikaduar, të gjitha këto i ka bërë në mënyrë të gabuar për fat të keq për Kosovën”, ka theksuar ai.

Për çështjen e marrëveshjes Kosovë- Serbi, Haradinaj u shpreh se do të marrë më shumë jehonë këto ditë, por nuk do të mund të arrihet diçka në këtë aspekt, pasi vendi ka qenë në krizë.

“Besoj që këto ditë që po vijnë do të rritet presioni për marrëveshjen, pra do të rritet shumë presioni amerikan dhe evropian, por nuk besoj që do të lejojnë të arrihet pas krizave në Kosovë, nuk do të lejohet që të krijohen kriza, e pastaj veç të vijnë për t’i zgjedhur ato kriza. Mund të ndodhë që do të kërkohen edhe opsione si  t’i dilet përpara një qasje të këtillë”, ka thënë Haradinaj, në një intervistë për emisionin “Five” me Dibran Istrefin.

Ndryshe, Haradinaj ka theksuar se Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, ka humbur vlerësimin e aleatëve, partnerëve dhe qytetarëve, ndërsa ka theksuar se kjo qasje e qeverisë po lexohet si jo e duhur nga këto palë.

“Orientimi është që një marrëveshje të arrihet me këtë qeveri, me qeverinë e sotme, mirëpo kjo qeveri është duke e humbur vlerësimin e shumë partnerëve, aleatëve edhe të qytetarëve të vendit, sot është e dhimbshme në një situatë të rëndë ekonomike kur janë bllokuar qindra milionë të Kosovës nuk janë në ekonomi, të provohet me emocione në kurriz të Policisë së vendit të fitojë vota. Pra kjo qasje e tillë, po lexohet nga plotë palë si jo e duhur në këtë kohë”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj, gjithashtu, ka thënë se nëse Kurti do të udhëtonte me amerikanët, do të mbaheshin zgjedhjet demokratike në Veri të vendit.

“Sikur të kishte udhëtuar me amerikanët edhe nëse Vuçiq i kish detyruar serbët t’i lëshojnë institucionet, ju siguroj se ishin mbajtur zgjedhjet në këtë të diel, edhe zgjedhje demokratike. Por fakti se po shkon në një rrugë qorre, pa amerikanët në veri”, ka thënë Haradinaj.

“Ecja në veri pa amerikanët ka kuptim tjetër, ne kemi ecur dhe kemi vazhduar të ecim me Amerikën, ecja pa Amerikën në çështje të sigurisë nuk duhet ndodhur nëse s’je me Amerikën me kënd je, bota në çështje të sigurisë është e ndarë. Nëse s’je me Amerikën, je me Rusinë”, ka shtuar ai.

Sipas Haradinajt, Kurti po luan një lojë të fshehtë, të cilën Haradinaj edhe e ka cilësuar si “luftë guerile”, që Kurti po e bën me amerikanët e jo me Rusinë dhe Serbinë.

“Angazhimi i Kurtit është një lloj lufte guerile, pra ai më shumë po e bën luftën guerile me amerikanët sesa me Rusinë e Serbinë. Amerikanët e kanë ditur çka po përgatit Serbia edhe e kanë ditur çka do të ndodhë në Veri dhe i kanë thanë Kosovës ec me, ne ta lëjmë Serbinë jashtë, kryemistri jonë i ka shpikur ato 21 ditët e famshme, ka bërë eksperimente me situatën e sigurisë në vendin tonë. Nuk bën dikush normal eksperimente me situatën e sigurisë në vend, ktheu te 24 marsi i 1999, për ta kuptuar se siguria në Kosovë nuk është ndërtuar vetëm prej nesh, dhe ende nuk varet vetëm prej nesh, siguria është e lidhur me amerikën e NATO. Nuk mundesh të shkosh në Veri vetëm. Në kohë të qeverisjes time saherë e ka kërkuar ligji Policia e ka kryer punën për çdokënd, kjo ka qenë e mundur sepse kemi qenë bashkë me Amerikën e NATO-n. Nuk mundesh vetë në Veri, mënyrën si po vepron qeveria jonë është kundër Kosovës, unë i falënderoj policët tanë, Kosova u ka borxh gjithë jetën, ata po bëjnë punën e vetë, ta kuptojnë policët që janë në Veri se janë në shërbim të atdheut dhe Kosovës. Duhet ta kuptojë kryetari që veprimet e sigurisë nuk duhet të luhet fshehtas me Amerikën. Nëse mendon që mundet kështu, është gabim. Ky ka luajtur fshehtas, ata e kanë nxënë e kanë kthyer”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se Amerika ka një rol të madh për sigurinë në vend, gjithashtu ka edhe rol udhëheqës.

“Është i pakrahasueshëm roli i Amerikës në sigurinë në vend, pra është i pakrahasueshëm është garantuesi kryesor, pra pa Amerikën as NATO s’do të ishte e njëjtë, roli i NATO-s në Kosovë nuk do të ishte i njëjtë. Amerika ka rolin udhëheqës”, ka shtuar Haradinaj.

I pyetur për zgjedhjet në Veri, ai theksoi nevojën e krijimit të një plani të përbashkët me Amerikën dhe NATO-n, pasi sipas tij, vetëm atëherë nuk do të ndodhnin problemet që sot po ndodhin.

“Ne nuk e kemi kuptuar nxitimin të shpallet zgjedhje, me rupru vetëm kur e di që s’mund i mban. Pra, është një lloj mjeshtërie të mos nxjerren vetëm në pozita humbëse, ka qenë më e logjikshme në kohë të ulen të negociohet me QUINT-in, një plan si të kthehet normalitetin dhe në kuadër të këtij plani, t’i fusin edhe zgjedhjet. Gjitha veprimet që i kanë bërë janë njëlloj dështimi i njëpasnjëshëm. Sot pse po presim të na heqë KFOR-i barrikadat,  është dashur në kohë të negociohen gjitha këto procese, të ketë një plan të përbashkët me Amerikën, me NATO-n nuk do të kishim as barrikada as probleme dhe kushdo që është kundër ligjit, do të ishte ndjekur nga ligji”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërsa, i pyetur se kush duhet t’i heqë barrikadat e vendosura në Veri, Haradinaj u shpreh se KFOR-i mund t’i heqë, por mund edhe të kërkojë diçka nga Kosova për t’i hequr, kjo pasi Albin Kurti nuk ka bashkëpunuar me ta.

Për ligjin për pagat, Haradinaj ka thënë se situata ekonomike është e rëndë në Kosovë dhe në gjithë botën, gjë që sipas tij, mosngritja e pagave po i dëmton sektorët e ndryshëm në Kosovë.

“Kurti ka marrë paren dhe e bën peng, ky është krim ndaj ekonomisë dhe njerëzve. Sot s’ke anesteziologë, mosrritja e pagave krijon problem, mosrritja e pagave të policëve e dobëson rendin në vend”, ka thënë Haradinaj.

 

 





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika