Kjo qendër u jep mundësinë mijëra studentëve që studiojnë në Universitetin e Prishtinës të jenë banorë të përkohshëm në këto 8 konvikte që menaxhohen nga Qendra Studentore.
Por, diçka e pakëndshme po raportohet të ketë ndodhur një natë më parë.
Kjo është hapësira e qendrës së studentëve, ku në njërin nga konviktet këtu disa studente kanë raportuar se sigurimi i konviktit ka hyrë pas mesnate në dhomën e tyre.
Siç kishte raportuar fillimisht Grazeta, bëhet fjalë për konviktin numër 5, me ç’rast studentet ishin ndjerë jo rehat me këtë situatë, ndaj edhe kanë reaguar.
Kështu po thotë edhe Vlera Dani studente e Juridikut që e ka parë situatën dhe e ka lajmëruar në Drejtori.
Sipas saj, punëtori i recepsionit e kishte kërcënuar se do ta përjashtonte nga konvikti.
“Edhe e këna gjetë dhomën, masi e kenë gjetë dhomën veç e këna hap me një çikë tjetër derën edhe ja ka nis tu i thanë se a din a po të doket etike, qesi sene me hi edhe roja ja nisi, A e din që unë muj me ju raportu për qet sen, muj me ju përjashtu prej konviktit.Na veç i tham që Okej, e kqyrim nesër te udhëheqësit e konviktit”, ka thënë Vlera Dani, studente në konviktin numër V.
Bile në bisedë e sipër me të tjera banore të Konviktit, Dani thotë se ka kuptuar që ky nuk është rasti i vetëm për çka kanë filluar një peticion për largimin e tij nga konvikti.
“Së bashku me Parlamentin Studentor jemi tu u munu me bo njëfarë peticioni në konvikt me mbledh nënshkrime të shumë banoreve që janë të shqetësuara për këtë rast”, ka theksuar ajo.
Seriozisht këtë raportim e kanë marrë në Qendrën Studentore, prej ku thonë se që nga orët e hershme të mëngjesit po e trajtojnë me prioritet.
Siç shprehet zëvendësdrejtoresha, nuk ka kohë të caktuar për personat përgjegjës se kur mund të hyjnë në dhoma, pasi punëtoret e ndërrimit të natës mund të paraqiten në dhoma varësisht nga kërkesat dhe nevojat.
“Ne po merremi intensivisht me këtë çështje, i kemi marrë të gjitha deklaratat jemi mundu që t’ju ofrojmë komoditetin studenteve të tregojnë realisht se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Drita Rama, zëvëndësdrejtoreshë.
Në konviktin numër 5 banojnë 700 studente, të gjitha vajza, e sipas Qendrës Studentore asnjëherë më parë nuk është raportuar një rast i tillë në asnjërin prej konvikteve.
Ndryshe, Fatmir Sfishta, drejtor i QS ka njoftuar se është pezulluar nga puna roja e konviktit numër V deri në një vendim tjetër disiplinor.