Të mërkurën e 14 dhjetorit duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Në këtë ceremoni do të jenë pjesëmarrës, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ceremonia pritet të zhvillohet në Kabinetin e Presidentes së Kosovës, ku pas ceremonisë së nënshkrimit, Osmani, Kurti e Konjufca do të kenë deklaratë për media.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën, në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se Kosova këtë javë do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Para një viti në takimin vjetor të këshillit, në kuadër të marrëveshjes për Stabilizim Asociim në Bruksel, bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë për në BE. Sot në mbledhjen e 112 të qeverisë po bëjmë të ditur se aplikimin për në BE do ta bëjmë këtë javë”, ka deklaruar ai.
Kurti u shpreh se Kosova është radhitur në vendin e parë në rajon, sa i përket sundimit të ligjit dhe demokracisë.
“Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë në BE, edhe pse jemi vendi i parë në rajon për nivelin e sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë. Ka ardhur koha që statusin potencial kandidat që na është njohur kohë më parë ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re me BE-në”, ka deklaruar Kurti.
Hyrja në BE, sipas Kurtit, është në përputhje me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.