Vazhdojnë rastet e raportimit të dhunës në familje në Policinë e Kosovës, vetëm gjatë të martës së 13 dhjetorit janë raportuar katër raste të tilla.
Në të tri rastet e raportuara në Policinë e Kosovës viktima kanë qenë gratë, të cilat janë sulmuar nga bashkëshortët e tyre, ndërsa një rast tjetër ka qenë dhunë e ushtruar nga dy meshkuj ndaj një mashkulli tjetër.
Rastet e ditës së martë kanë ndodhur në Prishtinë, Graqanicë, Rahovec dhe Malishevë.
Në të katër rastet e raportuara gjatë të martës së 13 dhjetorit, personat që ushtruan dhunë janë dërguar në mbajtje.
“Prishtinë 13.12.2022 – 09:30. Viktima femër kosovare ka informuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar.
Graçanicë, 13.12.2022 – 12:20. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga ish bashkëshorti i saj mashkull kosovar me të cilin janë të divorcuar. Palët janë intervistuar si dhe janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Rahovec 13.12.2022 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare e mitur dhe më pas kishte kanosur babain e viktimës. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Malishevë, 13.12.2022 – 20:15. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi ata kanë shkaktuar dhunë në familjen e tyre ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e PK-së.
Ndërkaq, të hënën e 12 dhjetorit është raportuar një rast në komunën e Prizrenit, që siç njofton Policia e Kosovës një mashkull ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, që i njëjti kishte demoluar edhe orenditë në shtëpi dhe tashmë gjendet në mbajtje.
“ Prizren 12.12.2022 – 21:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili për shkak të një mosmarrëveshjeje kishte ushtruar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. I dyshuari përveç dhunës kishte demoluar edhe orenditë në shtëpi. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Ndërsa, të dielën e 11 dhjetorit një rast i raportuar ka qenë në Komunën e Gjakovës, që gjithashtu një mashkull ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe gjendet në mbajtje.
“Gjakovë 11.12.2022 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e PK-së.