Ndonëse po “përballet me disa kundërshtime”, Kosova këtë javë pritet ta dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kështu ka shkruar agjencia e lajmeve “Reuters”, teksa shton se ky proces i cili pritet të zgjasë me vite, varet nga normalizimi i marrëdhënieve të saj me shtetin fqinj, Serbinë.
Një ndër sfidat e Kosovës, siç shkruan Reuters, mbetet edhe fakti që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Pos kësaj, janë ende pesë vende anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndër to janë, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Ndryshe, këtë të mërkurë krerët e shtetit të Kosovës pritet të nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në BE.
Lajmin që këtë javë do të dorëzohet aplikimi, e ka dhënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Para një viti në takimin vjetor të këshillit, në kuadër të marrëveshjes për Stabilizim Asociim në Bruksel, bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë për në BE. Sot në mbledhjen e 112 të qeverisë po bëjmë të ditur se aplikimin për në BE do ta bëjmë këtë javë”, ka deklaruar ai.
Hyrja në BE, sipas Kurtit, është në përputhje me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.
Sipas Reuters, përpara çdo anëtarësimi të mundshëm, “Kosova duhet të arrijë një marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve”.
“BE po punon tashmë për një marrëveshje që shpreson se të dyja palët do të bien dakord brenda një viti”.
Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Nga 27 shtetet anëtare të Unionit Evropian, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë pritet të marrë statusin e vendit kandidat.
Kosova, po ashtu, është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.