Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas ceremonisë së nënshkrimit së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka thënë se Kosova ka bërë një hap historik që BE-ja të lëvizë më shpejt drejt vendimit historik.
“Sot është ditë historike, moment historik. 14 dhjetori do të marrë kuptim të dyfishtë, në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në BE e në anën tjetër e kemi përvjetorin themelimit të Ushtrisë së Kosovës, të dyja janë qëllim drejt realizimit euro-atlantik”, ka deklaruar Osmani.
E para e vendit ka thënë se ëndrrat bëhen realitet kur vetëm veprohet, duke thënë se ky moment i dedikohet çdo gruaje e burri që kanë sakrifikuar jetën e tyre për liri.
“Në vigjilje të 15 vjetorit të pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve tanë, çdo fëmiu, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën për idelin e lirisë, pavarësisë. Rruga përpara është e qartë, anëtarësimi mund te jetë afatgjatë por jemi te vendosur që t’ia dalim me sukses. Do ta bëjmë punën tonë që BE-ja ta bëjë më lehte pjesën e saj”, ka vijuar ajo.
Sipas saj, Kosova është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar BE dhe si shteti më i ri në kontinentin e vjetër, e meriton të jetë pjesë e familjes së BE.
“Rruga jonë përpara është e qartë, ky proces në tërësi mund të jetë i qartë, ne jemi të vendosur që ti dalim me sukses, ne do ta bëjmë punën tonë që BE-ja ta bëjë punën e vet. Po bëjmë një hap historik që BE-ja të lëvizë më shpejt drejt vendimit historik”.
Ndryshe, Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mërkurën e 14 dhjetorit.
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit.