Policia e Kosovës, ka njoftuar se edhe këtë të mërkurë, të 14 dhjetorit, situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.
Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, sipas policisë, e kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit.
Andaj, spekulimet e vazhdueshme nga persona të caktuar dhe disa media kryesisht serbe, përfshirë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuar (D.P.), sipas policisë janë të pavërteta.
“I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore”.
Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar.
“Duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit”.
Por, edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime.