Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës.
Në objektin e Qeverisë, të mërkurën, aktivistët e PSD-së kanë vendosur mbishkrime “Tension për Asociacion”, “Tension për Koncesion”.
Me anë të një reagimi për media, PSD-ja ka thënë se tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut nga kjo Qeveri.
“Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Sipas PSD-së, trajtimi i veriut me hekur e kërbaç është, sipas tyre, argument për formimin e Asociacionit.
“Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare më Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”, thuhet më tutje në komunikatë.