Krerët shtetërorë të Kosovës, të mërkurën kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky aplikim pritet të dorëzohet më 15 dhjetor në Republikën Çeke – vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.
Lidhur me këtë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, nga zyra e BE-së, është thënë se BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
Sipas tyre, kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së.
“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për aplikim janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së”, thuhet në përgjigje.
Të drejtë për aplikim ka secili vend evropian, që ka demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi funksionale të tregut. Nuk ka asnjë garanci se ai do ta fitojë ulësen në BE.
Pas aplikimit për anëtarësim, janë tre hapa kryesorë, Statusi i kandidatit, Negociatat e anëtarësimit dhe Ratifikimi i traktatit.
Statusi i kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi. Ky status jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian.
Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë. Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pesë vjet, shkruan REL.
Negociatat e anëtarësimit janë hapi i dytë.
Ato nisin vetëm pasi vendi kandidat përmbush mjaftueshëm kriteret politike dhe kjo mund të marrë disa vite kohë.
Negociatat e anëtarësimit fokusohen në përshtatjen e ligjeve të vendit kandidat me ligjet e BE-së.
Ato përfshijnë 35 kapituj dhe janë faza më e gjatë në procesin e anëtarësimit në BE. Mali i Zi ka dhjetë vjet që ka nisur negociatat.
Pasi të 35 kapitujt të mbyllen unanimisht, BE-ja dhe vendi kandidat nënshkruajnë Traktatin e pranimit.
Ai më pas duhet të ratifikohet nga vendi kandidat dhe secili vend i BE-së dhe në fund caktohet data zyrtare e anëtarësimit, kur vendi bëhet anëtar me të drejta të barabarta i BE-së.
Kroacia është e fundit që i është bashkuar BE-së në vitin 2013, dhjetë vjet pas aplikimit.
Tani janë tetë vende kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Turqia, Ukraina dhe Moldavia.
Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Nga 27 shtetet anëtare të unionit evropian, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Shtetet mosnjohëse janë, Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë pritet të marrë statusin e vendit kandidat.
Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.