PDK-ja bojkoton fjalimin e Osmanit në Kuvend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 15 dhjetorit do t’u drejtohet deputetëve në Kuvendin e Kosovës, fjalë kjo në të cilën PDK-ja nuk do të marrë pjesë. Këta të fundit vlerësojnë se Osmani nuk është shembulli më i mirë i një presidenteje





Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sepse konsideron se një akt i tillë i saj është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje.

Përmes një postimi në Facebook, PDK-ja ka thënë se veprimet e Osmanit janë shembuj tipik të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon.

“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes. Gjuha jounifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse e presidentes Osmani, apo heshtja kur e ka obligim të jetë në shërbim të çdo qytetari nga frika se mos nuk është në pajtim me partnerin e saj politik, janë shembuj tipik të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon. Shembujt për këtë janë të shumtë, përfshirë edhe ato të ndërhyrjeve në punësime të familjarëve, shkarkimeve politike dhe mosmbështetjes së punonjësve në sektorin e arsimit, atë të shëndetësisë dhe shërbyesve civilë”, shkruan PDK.

PDK-ja nuk është kursyer t’i numërojë disa nga vërejtjet e shumta që ka ndaj presidentes.

“Kujtojmë vetëm disa nga veprimet e presidentes Osmani kundër institucioneve të pavarura të Republikës: Shkarkimi i znj. Daka, ka heshtur dhe mbrojtur rastet më skandaloze korruptive si ai i Martin Berishaj, ajo nuk ka qenë transparente as gjatë deklarimit të pasurisë së saj, nuk ka mbrojtur interesat e sindikatave dhe qytetarëve, nuk ka bërë as të vetmen përpjekje për të instaluar dialogun social dhe institucional në Kosovë. Me miq ndërkombëtarë është sjellë me arrogancë dhe nuk e ka as edhe një vendosje të marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtarisht. Në nivelin kombëtar, me Shqipërinë është sjellë si grindavece partiake duke dështuar kështu në përfaqësimin vëllazëror të Kosovës dhe Shqipërisë. Znj. Osmani, përkundër faktit që vetë është një grua, nuk ka bërë as të vetmin hap drejt fuqizimit të lidershipit të grave në Kosovë, përkundrazi në mesin e tyre ka shkaktuar përçarje, duke avancuar vetëm gratë e pushtetit dhe partisë së saj fantome GUXO”, shkruan PDK.

Duke vazhduar fjalën edhe më tej, Partia Demokratike e Kosovës ngul këmbë se presidentja Osmani asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare dhe se e njëjta, nuk ka gjetur kohën të vizitojë Veriun apo të merret me çështjet e sigurisë.

Ndërkaq, ky subjekt ngul këmbë se qëllimi i tyre mbetet ruajtja e integritetit të institucionit të Presidencës në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 15 dhjetorit do t’u drejtohet deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Kjo seancë do të fillojë në orën 09:30.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit obligohet që së paku një herë në vit t’i drejtohet kuvendit.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika