Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe kabineti qeveritar që të gjejnë një mënyrë që t’ia mundësojë këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, të kthehet në Serbi, e cila ka disa orë që është ndaluar në pikën kufitare në Merdar.
Ministri Rashiq, këto ka thënë se i ka adresuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
“Dje, këshilltarja ime duke ardhur nga drejtimi i Beogradit në vendkalimin kufitar në Merdar është ndaluar 4 orë në hyrje. Arsyeja e ndaljes është thënë sepse ka pasur takime me diplomatë të ndryshëm si me ambasadorin e ShBA-së, Jeff Hovenier”, ka deklaruar Rashiq.
“Prapë është ndaluar dhe deri në këto momente kur po flas, është ende e ndaluar atje. Atje është që 14 orë, i kanë marrë dokumentet dhe ajo pret për aprovim për të lëvizur”.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, ministrat dhe përkatësisht nga ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, që dërgojnë shkresa e informata anëtarëve të QUINT-it që të bisedojnë me kolegët e tyre në Beograd, që në mënyrë të civilizuar, të gjejnë zgjidhje e të mos përsëriten situata të tilla.
Ndër të tjera, ai e ka cilësuar këtë si akt të turpshëm, duke thënë se Trajkoviq “e ka sëmundjen e diabetit, është e moshuar, është duke e kaluar një periudhë të vështirë dhe se i nevojiten rregullisht insulina”.
Ai ka falënderuar policinë kufitare që ka dërguar artikuj dhe i ka blerë insulinë, duke theksuar se është gjest shumë i mirë i saj.
Rada Trajkoviq, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe këshilltare e ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, është ndaluar nga policia serbe derisa ajo po kthehej në Serbi.
Ajo ka shkruar se ka disa orë që nuk i është ofruar ushqim, ujë apo ilaçe që i nevojiten.
“12 orë në linjë administrative rrugës nga Kosova. Pa ushqim, pa ujë, pa ilaç, pa arsye. Gjithë natën, në mes të dimrit, në makinë. Dokumentet e konfiskuara, pa komunikim. A do të reagojë dikush ndaj kësaj torture?”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, të enjten, Trajkoviq u ndalua për herë të parë nga policia serbe në vendkalimin administrativ Merdar, gjatë hyrjes në Kosovë.
Pastaj me t’u kthyer në Serbi, ajo u ndalua përsëri në kufi, ku ende është e ndaluar aty, sipas saj, pa arsye.
Trajkoviq gati 12 orë e ndaluar në hyrje të Serbisë, thotë se po torturohet nga autoritetet serbe