Peja është shpallur kampione e Ligës Unike të basketbollit pasi mposhti Golden Eagle Yllin me diferencë 87:72, të enjten mbrëma.
Me një sallë të stërmbushur, Peja ishte dominuese në pjesën e parë me rezultatin 23:19, dhe njëjtë vazhdoi edhe në të dytën, me rezultat 26:15. Një epërsi të tillë e mbajti edhe në pjesën e tretë, me shifrat 20:19, ndërsa pjesa e katërt veçse e konfirmoi fitoren e saj.
Megjithëse periudha e katërt u fitua nga Ylli me 19-18, një afërsi e tillë nuk qe e mjaftueshme sa për t’i siguruar fitoren.
Vitin e kaluar ishte Ylli ai që fitoi Ligën Unike mirëpo, këtë vit ishte larg triumfit.
Ndeshjet e gjysëmfinales ishin duele më të forta sesa finalja e këtë e tregojnë edhe rezultatet e tyre. Peja kishte mposhtur Prizreni-16 me rezultat 98:94 ndërsa, Golden Eagle Ylli kishte mposhtur Teutën e Durrësit, me rezultat 84:82.
Me katër kërcime e gjashtë asistime, Dardan Berisha, basketbollisti i Pejës, shënoi 22 pikë.
Darius Washington përfundoi ndeshjen me 13 pikë, nëntë asistime e pesë kërcime ndërsa, Stephen Maxwell shënoi 16 pikë e 11 kërcime.
Nga Ylli u dallua Henrik Shirko me 17 pikë e 14 kërcime dhe Erion Kastrati me 23 pikë të shënuara.
Tani, dy skuadrat i kthehen rrugëtimit për titull të kampionit në Superligën e Kosovës.