“Në pikën kufitare në Merdar, të premten e 16 dhjetorit, Serbia i ka dërguar KFOR-it kërkesën fizike për të dërguar deri në një mijë forca të sigurisë në Kosovë”.
Kështu ka shkruar mediumi serb, Danas.
Kjo pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas seancës së qeverisë serbe të mbajtur të enjten e 15 dhjetorit, kishte thënë se të enjten do të dërgohet kërkesa elektronike, ndërsa të premten do të dorëzohet kërkesa fizike.
“Në mbledhjen e qeverisë është vendosur që nesër në mëngjes t’i dorëzojmë komandantit të KFOR-it një kërkesë, e cila është në përputhje me Rezolutën 1244, që të kthehet një numër i caktuar i personeli ushtarak dhe policor, i cili numëron nga qindra deri në një mijë në Kosovë”, kishte deklaruar Vuçiq.
Ndryshe, Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor, paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Serbia ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it për kthimin e ushtrisë në Kosovë, por “se është e nevojshme një zgjidhje politike e jo ushtarake”.
Vuçiqi zyrtarisht do të kërkojë nga KFOR-i kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë