Vendimi për procedurë të përshpejtuar për Ligjin për Pagat në sektorin publik dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është bërë pa asnjë arsye.
“Pse gjithë kjo nguti nga mazhoranca për dy nga ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore?”, ka shtruar pyetje Hoti.
Sipas tij, dy ditë janë të pamjaftueshme për ta shterur debatin për këto dy ligje.
“Sipas vendimit të djeshëm të Kuvendit, afati për amendamente është deri të hënën më 19.12.2022, në orën 12:00. Nuk ka asnjë mundësi që për dy ditë të vikendit të shtjerrën diskutimet me grupet e interesit: me sindikatën e arsimit, të shëndetësisë, të shërbimit civil, të policisë dhe sindikatat e tjera”, ka shkruar ai.
Këto ligje, sipas Hotit, do të duhej të miratoheshin pas diskutimeve gjithëpërfshirëse me të gjithë akterët që ndikohen nga ato ligje.
“Kjo qasje e mazhorancës nuk ka asnjë kuptim. Këto dy ligje duhet të miratohen vetëm pas diskutimeve gjithëpërfshirëse dhe shteruese me të gjithë ata që ndikohen nga këto ligje”, ka thënë ai.
“Nuk është e mjaftueshme që këto dy ligje të jenë në përputhje me kushtetutën. Ato duhet të jenë në përputhje me parimet elementare të të drejtave të të punësuarve në sektorin publik, si dhe të dakorduara në parim me sindikatat që i përfaqësojnë ata të punësuar”, ka vijuar ai.
Në fund, Hoti është shprehur se “vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje”.