Kërkohet shtyrja e afatit për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale

Qeveria e Kosovës po kërkon që sa më parë të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili ofron mundësinë e vazhdimit të afatit të aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, pasi numër i madh i viktimave ende nuk kanë deponuar historitë e tyre në Komision

Instalacionin “Mendoj për ty”, i organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Prishtinë 2015

Në shkurt të vitit të ardhshëm do të përfundojë afati pesëvjeçar për aplikimin e grave dhe burrave për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Nga Qeveria e Kosovës po kërkohet që sa më parë të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili ofron mundësinë e vazhdimit të këtij afati. Por, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, po konsiderohet fatkeqësi, meqë numër i madh i viktimave ende nuk kanë deponuar historitë e tyre pranë këtij Komisioni.

Po ashtu, thuhet se nga moszgjatja e afatit për aplikim, do të krijohet edhe vakum ligjor.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Leonora Selmani, kërkon që sa më parë të procedohet ndryshimi i ligjit, i cili u mundëson grave e burrave të aplikojnë edhe pas kësaj date.

“Afati për aplikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është i lidhur me plotësim-ndryshimin e ligjit, që i bie që është proces ligjor dhe duhet të ndryshojë ligji në Kuvendin e Kosovës që të bëhet një gjë e tillë. Po besoj që është afati i fundit kur do të duhej të mendohet se a duhet të procedohet me plotësimin-ndryshimin e ligjit apo jo”, ka thënë ajo.

“Në qoftë i shohim shifrat, e shohim që në krahasim me atë që është menduar që ka në Kosovë dhe që thuhet që ka dhe statistikat e kanë thënë dhe që është një numër shumë i madh prej 20 mijë viktimave- personave, që kanë përjetuar dhunën seksuale në vend gjatë luftës, ne i kemi vetëm 1846”, shprehet tutje Selmani për KP-në.

Në Kosovë konsiderohet se janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë gra e burra nga forcat serbe gjatë luftës. Selmani shton se ky krim do të duhej të trajtohej edhe më tej nga Komisioni.

“Ndoshta është mirë të vazhdohet afati, për faktin se ka ende persona që duan t’u njihet kjo e drejtë. Mos harrojmë është një krim i luftës, i cili do të duhej të trajtohet ende po besoj. Po ashtu, besoj që me kohë do të merret përgjigjja dhe viktimat do ta kenë përgjigjen në afatin e duhur dhe nuk do të mbesin pa e pasur një informatë se çfarë do të bëhet. Çfarë mund të garantojë në këtë moment, është që të gjitha aplikimet që janë në Komision do të shqyrtohen dhe pavarësisht këtij limiti kohor, komisioni prapë do t’i shqyrtojë njëjtë, sepse ka afat”, shton ajo.

Në lidhje me këtë, KosovaPress ka pyetur edhe zëdhënësen e qeverisë, Rozafa Kelmendi, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, po bën thirrje që afati për aplikim në këtë Komision të shtyhet.

“Ne si organizata e kemi kërkuar pa një afat të caktuar, i dimë edhe vështirësitë në proces që mund t’i ketë joafatizimi. Megjithatë, krimet e luftës nuk parashkruhen edhe e drejta në krime të luftës nuk ishte dashur të afatizohet në një periudhë kohore. Nëse nuk arrijnë që të amandamentohet ligji dhe të parashihet zgjatja e mandatit të komisionit, fatkeqësisht nga shkurti të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës nuk do të kenë mundësi ligjore që të aplikojnë në Komision, që t’u njihet e drejta si viktimë e dhunës seksuale të luftës”, shprehet ajo.

Shtyrja e afatit për aplikim, Rushiti shton se duhet të bëhet në procedurë të përshpejtuar meqë ka mbetur kohë e shkurtër.

“Mendoj që është një fatkeqësi nëse kjo nuk arrin të bëhet, për faktin se mënyra se si është trajtuar kjo plagë e luftës në Kosovë, pastaj puna e komisionit, e organizatave, gjithë kauza e të mbijetuarve të dhunës seksuale, ka qenë një praktikë e mirë, jo vetëm për Kosovën, por është marrë edhe nga vende të ndryshme të botës ku ka pasur konflikte. Dhe kjo praktikë është bërë si model i mundshëm edhe në Ukrainë dhe fakti që nuk mund të shtyhet, ose nuk arrin të shtyhet e ndalon procesin aty dhe krijon një vakuum ligjor”, përfundon Rushiti.

Gratë e burrat në Kosovë kanë pasur mundësi që të aplikojnë për statusin e viktimave të dhunës seksuale që nga viti 2018.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika