Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, teksa ka folur për situatën në veri të vendit, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos fshihet pas KFOR-it, por të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të vendit.
Në të kundërtën, sipas Krasniqit, qeveria duhet të deklarohet e paaftë për të qeverisur me vendin.
“PDK ka qenë e qartë në kërkesën dhe ftesën e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare, që t’i denoncojë veprimet antishtet ndaj Kosovës, të kontrolluara dhe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, në mënyrë të veçantë kundër bandave kriminale. Kjo do ishte si hap i parë i nevojshëm në mënyrë që pastaj të ketë një koordinim mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it për t’i lëvizur këto barrikada. Kemi pasur situata të tilla edhe në të kaluarën, por i kemi hequr barrikadat. Nuk mundet qeveria të fshihet pas KFOR-it, qeveria duhet ta zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, përndryshe duhet ta deklarojnë paaftësinë e vet për të qenë qeveri e Kosovës”, ka thënë ai, shkruan KP.
Sipas Krasniqit, barrikadat nuk duhet të jenë përditshmëri. Kjo ngase siç thotë ai, qëllimi i bandave kriminale është që këto të bëhen normalitet i ri në veri të Kosovës.
“Ka disa ditë që kemi ftuar Qeverinë e Kosovës që të merret seriozisht me çështjen e barrikadave në veri. Nuk guxon që barrikadat të kthehen në normalitet, nuk të bëhen barrikadat pjesë e përditshmërisë, sepse qëllimi i bandave kriminale që i kontrollon presidenti serb Vuçiq që po i shtojnë këto barrikada dita ditës, është që këto të bëhen normaliteti i ri në veri. Do të ishte dështim i qeverisë dhe institucioneve udhëheqëse të vendit tonë nëse dorëzohen para kësaj qasje”, shtoi ai.
Kransiqi ka potencuar se po të kishte një insistim më të madh dhe më serioz të qeverisë, do të rezultonte me heqjen e barrikadave.
“Jam i sigurt që një insistim serioz më i madh i qeverisë dhe i kryeministrit Albin Kurti në raport edhe me partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë me KFOR-in, deri tash do të duhej të jepte rezultatet e veta. Ka disa ditë që kanë thënë: “Po presim pak”, u bë shumë, mund të bëhet tepër, por një ditë do të jetë vonë. Dhe ne do të vijmë një ditë që s’kemi me pasur mundësi me kthyer normalitetin që e kemi, e atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e qeverisë”.
Disa nga rrugët në veri të Kosovës janë të bllokuara për gati nëntë ditë me radhë, të cilat erdhën si pasojë e arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.