I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar kryetarit të Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, i cili ka thënë se “duket se sezoni i negociatave sekrete ka nisur sërish, këtë herë në Zvicër”.
“Sipas shkrimit të një Cyrihu të shquar, duket se sezoni i negociatave sekrete ka nisur sërish, këtë herë në Zvicër. Në Paris thuajse u negociua një ndarje me Thaçin. “Marrëveshja e Uashingtonit” lindi në ambasadën amerikane në Berlin. Çfarë duhet të presim tani?”, kishte shkruar Jeremiq në Twitter.
Petkoviq përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Jeremiq po mundohet ta devijojë temën.
Sipas tij, kjo është një “tjetër gënjeshtër e Vuk Jeremiqit”.
“Një tjetër gënjeshtër e majme e Vuk Jeremiqit, e cila padyshim bazohet tek ai dhe periudha kur negocionin fshehurazi. Ai po mundohet ta devijojë temën nga lëvdata e sotme që i bëri Kurti se GJND-ja vendosi në favor të të ashtuquajturit. Kosova. E turpshme”, ka shkruar Petkoviq.
Још једна масна лаж Вука Јеремића који очигледно полази од себе и периода кад су тајно преговарали. Покушава да скрене тему са данашње похвале коју му је Kурти упутио да је МСП пресудио у корист тзв. Kосова. Срамно! https://t.co/IPsCU2KQBQ pic.twitter.com/D98WEVnhXk
— Петар Петковић (@PetkovicPetar) December 18, 2022
Ndryshe, sipas mediumit zviceran “NZZ am Sontag” Zvicra po ndërmjetëson në mënyrë diskrete mes Serbisë dhe Kosovës dhe po përpiqet të parandalojë që konflikti të përshkallëzohet më tej.
Situata në veri të Kosovës u përshkallëzua pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, dhe serbët vendosën disa barrikada në rrugët në veri të Kosovës, e pastaj Serbia bëri kërkesë nga KFORI që të rikthejë rreth 1 mijë trupa serbë në Kosovë.
Sipas këtij hulumtimi, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) priti përfaqësuesit e të dy vendeve në Zvicër në mes të nëntorit. “Një takim i tillë ka ndodhur një javë pasi serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës”, konfirmon zëdhënësja e EDA, Elisa Raggi.
Për arsye konfidencialiteti, FDFA nuk dëshiron të thotë saktësisht se ku janë zhvilluar bisedimet.
Siç vazhdon EDA, ky takim nuk ishte një rast i izoluar. Që nga viti 2015, Zvicra e mbështet Bashkimin Evropian, i cili po udhëheq dialogun e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me instrumentet e veta plotësuese: “Departamenti për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut organizoi takime të rregullta në të cilat përfaqësues të partive më me ndikim nga të dyja vendet morën pjesë.”
Ky shkëmbim larg publikut është i rëndësishëm në mënyrë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të shkëmbejnë rregullisht mendime për çështjet politike dhe të krijojnë besim. “Kjo mundëson kontakte të drejtpërdrejta diskrete, për shembull për të parandaluar shpërthimin e dhunës”, shkruan FDFA. Për më tepër, në këtë mënyrë mund të testohen ide, të cilat më pas do të kalojnë në negociatat zyrtare.