Rada Trajkoviq, këshilltare politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka njoftuar se vajza e saj është ndaluar në aeroportin e Beogradit nga policia kufitare.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Trajkoviq përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter.
“Vajza ime e cila është shtetase britanike, sapo ka zbritur në aeroportin e Beogradit. Ajo u ndalua nga policia kufitare. Kjo është përtej masës”, ka shkruar Trajkoviq.
Moja ćerka koja je britanski državljanin upravo je sletela na Beogradski aerodrom. Zadržana je od strane granične policije.
Ovo već prelazi svaku meru!
— Rada Trajkovic (@trajkovic_rada) December 18, 2022
Ndryshe, Trajkoviq, të shtunën e 17 dhjetorit, është liruar nga spitali në Prokuple.
Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe këshilltare e ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, ka qëndruar pothuajse 12 orë në vijën administrative, ku policia serbe e ndaloi derisa ajo po kthehej në Serbi.
Ajo ka shkruar se që 12 orë nuk i është ofruar ushqim, ujë apo ilaçe që i nevojiten.
“12 orë në linjë administrative rrugës nga Kosova. Pa ushqim, pa ujë, pa ilaç, pa arsye. Gjithë natën, në mes të dimrit, në makinë. Dokumentet e konfiskuara, pa komunikim. A do të reagojë dikush ndaj kësaj torture?”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, të enjten, Trajkoviq u ndalua për herë të parë nga policia serbe në vendkalimin administrativ, Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.
Trajkoviq, po ashtu kishte njoftuar se që nga e diela e 11 dhjetorit është kërcënuar vetë ajo dhe familja e saj.
Ajo ka fajësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të njëjtat kërcënime.