Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, të dielën e 18 dhjetorit kanë mbajtur mbledhje, në të cilën është diskutuar për situatën në veri të vendit.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishte edhe kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë mbledhjes është thënë se barrikadat në veri duhet të largohen menjëherë.
“Sot u mbajt mbledhja me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në diskutimin e situatës politike vend qendror pati veriu i Mitrovicës me barrikadat që duhen hequr dhe rendin e ligjin që duhet kthyer atje, lufta kundër korrupsionit në vend, dhe rritja ekonomike bashkë me buxhetin i ri që tashmë ka kaluar në dy lexime në Kuvend”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Sa u përket çështjeve organizative, në mbledhje u diskutua për opozitarizmin nëpër komuna.
“Te çështjet organizative, u diskutua për planifikimin e aktiviteteve tona, opozitarizmin tonë nëpër komuna dhe fuqizimin e mëtejmë të organizatës sonë brenda dhe jashtë vendit”, vijon njoftimi.
Disa nga rrugët në veri të Kosovës janë të bllokuara për gati nëntë ditë me radhë, të cilat erdhën si pasojë e arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.
E sa u përket barrikadave në veri, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat, dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
“Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet”, ka thënë ai.
Kësaj deklarate i është përgjigjur Lista Serbe, duke e parë kinse si kërcënim. Sipas saj, deklarata e ministrit Sveçla tregon “gatishmërinë për përdorim të dhunës”.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmi nga Prishtina, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thanë nga Lista Serbe.
Ndryshe, KFOR-i ka bërë të ditur se janë duke monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës dhe kanë aftësinë dhe personelin për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.