Në emisionin ‘Nburg me Nitën’ në RTV Dukagjini, vjen rrëfimi i një të burgosuri, të cilit nuk i kujtohet vepra penale që ka bërë, vepër për të cilën po vuan dënimin tash tre muaj.
Rrëfimi i të burgosurit nga burgu i Dubravës do të tregojë ngjarjen se si ndjehet, a është penduar dhe cila vepër i hoqi lirinë, që ai tashmë e di se sa e shenjtë është.
I burgosuri në fjalë, me inicialet I.G, vjen nga qyteti i Pejës dhe është i dënuar me një vit burgim për veprën ‘zjarrvënie dhe lëndime të lehta trupore’.
Ai deklarohet se është i dënuar për veprën zjarrvënie të shtëpisë së tij edhe pse thotë se nuk i kujtohet kjo gjë, pasi që ka qenë nën ndikimin e alkoolit.
”Nuk e di se për cfarë vepre jam burgosur, por sikur ta dija do të kërkoja shumë falje. E di që kam gabime në jetën time, sepse kam pirë shumë alkool. Ditën kritike kam qenë i pirë, dhe e di që alkoholi më ka bërë agresiv, por nuk më kujtohet në asnjë mënyrë që unë e kam djegur shtëpinë time, apo që kam bërë këtë vepër”, deklarohet i dënuari.
Ai shton se është ankuar në Gjykatën Supreme, por ankesa e tij nuk është marrë parasysh.
”Unë jam dënuar me një vendim të plotfuqishëm dhe gjithashtu jam ankuar tek Gjykata Supreme, por ankesa më është hedhur poshtë nga gjykata.Ka shumë njerëz që qëndrojnë prapa kësaj lënde, dhe medoemos kanë dashur që unë të jem i dënuar për këtë rast. Jam i sigurt, besomëni,se unë nuk kam as çka i frikësohem askujt për veprën që ka ndodhur sepse e kam një vendim të prerë dhe këtë duhet ta kryejë por sikur ta dija të vërtetën e kësaj”, tha ndër të tjerash ai.
Ndërsa, ai është i sigurt se nuk ka kryer këtë vepër penale, atij i është thënë se ka djegur shtëpinë e tij, i cili mund ta ketë bërë shkaku i teprimit të pirjes së alkoolit.
”Mua më kanë thënë se ke djegur shtëpinë, edhe pse sot e asaj dite, nuk më kujtohet që kam bërë unë atë vepër me vetëdije, e do të kërkoja falje sepse e kam pasur një jetë të lumtur me shoqen time. Të flas të drejtën kam humbur shumë në aspektin familjar, po tash s’kam çfarë të bëjë’’, përfundoi i dënuari.
Gjithashtu, në fund ai jep një mesazh për mosteprim të konsumimit të alkoolit apo përdorimit të drogave, sepse ka ndikim mjaft të keq në shoqëri dhe mund të shkaktojë probleme, për të cilat mund të pendoheni më vonë.
Ai është i dënuar me një vendim të plotfuqishëm një vjeçar, dhe pret që ti ipet kushti për lirim, pas gjashtë muajsh. Ai pretendon se kjo është vepra e parë në jetën e tij.