Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në takim Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller, të martën e 20 dhjetorit.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Ai vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrisë.
Tutje, njoftohet se është biseduar për mbështetjen lidhur me qëllimin e Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet tutje në njoftim.
Mes të tjerash u theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e “shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Gjermanisë, po ashtu i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit”.