Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka falënderuar Faton Klinkaun dhe të tjerët nga OVL “UÇK” pas mbështetjes së këtyre të fundit për protesën e organizuar kundër Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj ka shkruar se shoqatat e dalura nga lufta i bashkon përpjekja për drejtësi e barazi.
“Shoqatat e dalura nga lufta përsëri i bashkon përpjekja për drejtësi e barazi. Sepse janë të munguara. Janë të mohuara. Ai/ajo nuk iu nënshtruan kohës. Përsëri kundër shtypjes, por sot në rrethana të reja, protestojnë për drejtësi. Nuk kishte si të jetë ndryshe. I falenderojmë përzemërsisht! Shihemi në protestë!”, ka shkruar Molliqaj.
Ndërkaq, Faton Klinaku nga OVL “UÇK” u ka bërë thirrje veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së që të marrin pjesë në protestën e së shtunës.
Partia Socialdemokrate (PSD) do të organizojë protestë të shtunën e 24 dhjetorit në ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti’” në Prishtinë.
Kjo protestë e kësaj partie vjen pas dënimit të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale, më 26 vjet burgim.
Në një konferencë për medie, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se kjo protestë është e domosdoshme, pasi sipas tij “në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia”.
Molliqaj, ndër të tjera, tha se do të kërkojnë edhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.