Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se është Goran Rakiq ai i cili në bashkëpunim me bandat kriminale e njëherit, të armatosura, që po i mirëmbanë barrikadat e vendosura në Veri të Kosovës.
Janë bërë 11 ditë që nga vendosja e barrikadave në Veri të Vendit dhe pikërisht, të martën e 20 gushtit, është Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili përmes një video-mesazhi, ka thënë se kushtet për heqjen e barrikadave në Veri janë që të lirohen të arrestuarit dhe të tërhiqet Policia nga Veriu i Kosovës. Në po të njëjtën ditë, ka reaguar edhe ministri Sveçla i cili ka kritikuar gjuhën e përdorur nga ta duke bërë një dallim me atë të Kosovës.
“Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave. Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena”, ka deklaruar Sveçla.
Krahas kësaj, ai ka thënë se Policia e Kosovës mbetet në shërbim të qytetarëve dhe se me krimin, nuk do të ketë kompromis.
“Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim. Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij”, ka shkruar Sveçla.
Rruga në fshatin Rudare të Zveçanit akoma mbetet e bllokuar nga barrikadat e vendosura nga komuniteti serb. Ndërkohë, policët që kishin mbetur të bllokuar në Leposaviq, janë larguar nga aty.