Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan do të publikojë dosjet pjesërisht të redaktuara të taksave të ish-Presidentit Donald Trump, u tha gazetarëve të martën anëtari më i lartë republikan i komisionit, Kevin Brady.
Publikimi informacionit privat të taksave, të cilin ish-presidenti Trump e kishte kundërshtuar me forcë për vite me radhë, mund të sjellë një vëmendje tjetër të padëshiruar ndaj tij në një kohë kur ai ka shpallur kandidaturën përsëri për Shtëpinë e Bardhë, shkruan VOA.
Trump, ndryshe nga kandidatët e mëparshëm presidencialë, refuzoi t’i bënte publike deklaratat e tij të taksave, pasi u përpoq të mbante sekret detajet e pasurisë së tij dhe aktivitetet e kompanisë së tij të pasurive të patundshme, “Organizata Trump”.
Ai kundërshtoi përpjekjet e demokratëve për të pasur qasje tek ato dokumente.
Kandidatëve nuk u kërkohet me ligj të publikojnë formularët e tyre të taksave, por kandidatët e mëparshëm presidencialë të të dyja palëve e kanë bërë vullnetarisht një gjë të tillë për dekada me radhë.
Demokratët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Taksave kanë thënë se duhet të shohin të dhënat për të vlerësuar nëse agjencia e taksave po i shqyrton siç duhet deklaratat tatimore presidenciale dhe për të vlerësuar nëse nevojitet legjislacion i ri në këtë drejtim.
Komisioni i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve, për ngjarjet e 6 janarit u kërkoi prokurorëve federalë të ndjekin penalisht Trump për nxitjen e sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit.