Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar pas njoftimit të lajmit se Kosova mund të blejë dronë ushtarakë turq Bayraktar.
Ai ka thënë se ky lajm nuk është i mirë dhe se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë.
“Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin Erdogan”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.
Megjithatë, shpreson që së shpejti “do të mund të mburren me një numër të konsiderueshëm të dronëve kamikazë dhe avionëve të tjerë”.
Qeveria e Kosovës e ka në agjendën e saj dhe po punon për çështjen e blerjeve të dronëve ushtarakë të prodhimit turk, Bayraktar.
Kështu ka thënë ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, i cili theksoi se blerja e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.
“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdoherë. Janë realizuar vizita, shembull, presidentja jonë Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj e kanë vizituar fabrikën ku prodhohen dronët Bayraktar. Natyrisht që ky është një proces afatgjatë dhe çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpinë e vet, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, ka thënë ministri Damka, shkruan Anadolu.
Megjithatë Damka thekson se nuk ka informacione shtesë lidhur me atë se sa buxhet mund të shfrytëzohet për dronë të tillë.
Dronët Bayraktar, prodhim turk për herë të parë kanë fluturuar në vitin 2014.
Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe së fundi janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë kundër pushtimit rus.