Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se nëse Ligji i Pagave do të kalojë, atëherë greva e pezulluar në muajin tetor nuk do të vazhdojë në janar të vitit 2023.
Jasharaj, vitin 2022 e ka konsideruar si vit të vështirë, pasi më shumë se një muaj, arsimi në vend u përball me greva.
Jasharaj ka theksuar se ka marrë zotime se Ligji i Pagave do të votohet të enjten gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.
“Në janar mund të kemi lajme të mira dhe mund të merret vendimi për mbyllje të grevës”.
“Opinioni duhet ta kuptojë qartë sepse ne nuk kemi mundur të vendosim ndryshe, ngase e kishim një rezultat ndryshe, ngase e kishim një rezultat të ngushtë pro pezullimit dhe për të vazhduar grevën, dhe e vetmja mundësi kur kemi situata të tilla të mos mbyllet greva, kjo nënkupton se greva mbetet si opsion i hapur dhe këtë afat e kemi lënë deri në janarin e vitit 2023” ka potencuar Jasharaj.
Kritika ka pasur në drejtim të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast thotë se përkundër shkresave për dialog, sipas tij, kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Së bashku me kolegë e kemi vlerësuar si vitin më të vështirë pas luftës vitin 2022, ngase që nga fillimi është vërejtur një mungesë e qasjes së duhur, gjegjësisht kemi pasur një qasje të gabuar të Qeverisë Kurti ndaj sindikatave por edhe ndaj dialogut, ngase edhe përkundër dhjetëra shkresave, qoftë në emër të BSPK-së por edhe të SBAShK-ut, nuk janë përfillur kërkesat tona për dialog dhe çdo gjë e kanë vendosur ata siç kanë menduar vetë, dhe më e keqja e kësaj ka ndodhur sepse nuk kishim informacione të duhura dhe na iku ai premtimi që e dha Sveçla se në mars do ta kemi ligjin e pagave, e të cilit i besuam në deklarata, por ndodhi që nuk u bë”, tha Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se versioni i dalë në media për Ligjin e Pagave është i mirëseardhur.
Ai thotë se ka marrë zotime nga ministrja, Arbërie Nagavci, se Ligji është në përputhje me kërkesat e SBAShK-ut.
“T’u them të vërteten kur doli ai versioni i parë që Qeveria e mohoi, ne edhe ndaj atij versioni reaguam dhe në bashkëpunim me MAShTI-n ne dërguam versionin tonë duke i thirrur ekspertët e fushës dhe dërguam mendimin tonë për koeficientin që nga çerdhet deri në universitet dhe një pjesë e kulturës është me ne dhe edhe ata dërguan komentet që ne pastaj i dërguam në MAShTI, dhe kjo e fundit i mori përsipër që të punojë në një version të tyre dhe na kishin thënë se i tyri dhe i yni janë goxha të ngjashëm dhe nuk paraqiste ndonjë problem”, ka thënë ndër të tjera kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.