8810 lindje janë kryer në Klinikën e Gjinekologjisë (KOGj), prej fillimit të vitit 2022, që shënon numrin e përgjithshëm të lindjeve gjatë vitit që po lëmë pas.
Këtë përgjigje për Portalin Dukagjini e ka dhënë drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.
Numri i lindjeve në Klinikën shtetërore të Kosovës është i lartë, por janë lindje në forma të ndryshme.
Prej tyre, siç ka njoftuar Ndrejaj, lindje me dy fëmijë (binjakë apo lindje gemellare) janë 234.
Ndërsa, lindje me tre fëmijë (lindje trigemini) gjatë vitit 2022 kanë qenë gjithsej 21.
Portali Dukagjini ka adresuar një pyetje për të parë se a ka qenë më i lartë numri i meshkujve apo femrave të lindur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe nga shifrat e drejtorit të KOGj mund të konkludohet se numri më i madh i foshnjave të lindura kanë qenë meshkuj. Janë afro 200 foshnja diferencë nëse krahasohen me foshnjat femra.
Kjo për shkak se 4500 foshnja të lindura kanë qenë meshkuj, ndërsa 4310 femra.
“Prej të gjitha lindjeve, meshkuj janë 4500 ndërsa femra 4310”, ka thënë Ndrejaj.
Sa u përket lindjeve në formë të natyrshme apo me prerje cesariane, Ndrejaj ka treguar se nga 8810 lindje, 3020 kanë qenë me prerje ceseriane.
Ndër të tjera, i pyetur për kushtet dhe numrin e lindjeve në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, Ndrejaj është shprehur se janë të mira, me personel të mjaftueshëm dhe ka theksuar se numri i lindjeve është i njëjtë me vitin e kaluar.
“Kushtet për lindje në KOGj janë të mira dhe kemi mjete dhe personel të mjaftueshëm. Ndërsa, numri i lindjeve është pothujase i njëjtë me vitin e kaluar”, ka përfunduar Ndrejaj.