Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, këtë të mërkure ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave (madhorë), të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin qershor të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.Rr., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, i pandehuri D.Rr., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
- Rasti i 11-vjeçares, ngrihet aktakuzë ndaj pesë personave që gjenden në paraburgim
- Arrestohet edhe një person për rastin e dhunimit të 11-vjeçares
- Tre të miturve të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares, u vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj
Ndërsa, të pandehurit G.S. dhe B.S., ngarkohen për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i pandehuri M.S., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Po ashtu, sipas njoftimit dhe aktakuzës nga ana e Prokurorisë Themelore, i pandehuri F.S., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri M.R., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, si dhe i pandehuri E.S., ngarkohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me neni 33 të KPRK-së.
Ndryshe, në lidhje me dhunimin e 11-vjeçares si fillim ishte raportuar se rasti kishte ndodhur në gusht, e më pas ishte zbuluar se e njëjta ishte dhunuar edhe më parë, saktësisht në muajin qershor të vitit 2022.
Për rastin e ndodhur në muajin gusht, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (të moshës madhore), si dhe ndaj tre të miturve.
Ndaj dy personave të moshës madhore seanca e shqyrtimit fillestar mbahet më 22 dhjetor.
Më 30 gusht, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte bërë të ditur se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, pas këtij rasti.
Ndërsa, në muajin shtator janë shkarkuar edhe dy drejtorë të Policisë së Kosovës pas rastit të përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Nga pozita e drejtorit të Policisë rajonale të Prishtinës është larguar Fahredin Verbovci ndërkaq, Shkëlzen Xhafa nga ajo e Shefit të Operativës për kryeqytet.
Kujtojmë se nga qytetarët ishte mbajtur protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës për të dytën herë lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Sipas organizatorëve të protestës, organet e drejtësisë kanë neglizhuar këtë rast, pasi u bë e ditur se 11-vjeçarja dyshohet që ishte dhunuar edhe në qershor të këtij viti.
Protestuesit kanë kërkuar reagim ndaj sistemit patriarkal në sistemin e drejtësisë dhe përgjegjësi për viktimat e dhunës seksuale.