Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pasi kanë pranuar informacione për posedim të substancave narkotike, të mërkurën e 21 dhjetorit kanë zbatuar një operacion policor në Prizren me qëllim të kapjes së të dyshuarit dhe konfiskimit të substancave narkotike.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se policia ka kryer kontroll në një shtëpi ku dyshohej se mund të kishte lëndë narkotike.
“Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë 19 kg 546 gr substancë, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.
Në këtë njoftim tutje thuhet se policia ka arrestuar të dyshuarin mashkull, 39 vjeçar, i cili është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërsa, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë me aktvendim nga prokurori kompetent.