Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ngritur një pyetje pas skandalit të fundit në Spitalin e Pejës, në të cilin, u raportua se një foshnje e vdekur ishte futur në rrobalarëse.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se sektori i shëndetësisë është kapluar nga krimi.
“Edhe çka tjetër duhet të ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri ta marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejt Kryeministër, e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!”, ka shkruar Krasniqi.
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur javën e kaluar në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e pajetë është futur në rrobalarëse.
Ndërkaq, dyshohet se trupi i pajetë i foshnjës është bërë copa-copa.
Rastin për Portalin Dukagjini, e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Pejës, duke bërë të ditur se pas marrjes së informatave, prokurorja e krimeve të rënda bashkë Inspektoratin shëndetësor kanë dalë në vend të ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, rasti është në fazën hetimore derisa kanë shtuar se janë duke i pritur raportet e Inspektoratit për veprime të mëtutjeshme.