Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE), që t’i mbajë premtimet dhe Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.
Roth në një postim në rrjetin social, Twitter, shkruan se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të lihen anash, pasi Rusia është duke destabilizuar këtë rajon.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të ndihen të lënë pas. Rusia është, gjithashtu, duke destabilizuar në këtë rajon. BE-ja më në fund duhet të mbajë premtimet e saj. Do të nisin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut. Të jepet liberalizimi i vizave për Kosovën”, shkruan ish- ministri gjerman për Evropën.
Die Staaten des Westbalkans dürfen sich nicht abgehängt fühlen. Auch in dieser Region destabilisiert Russland. Die EU muss endlich ihre Zusagen einhalten. Beitrittsgespräche mit Albanien + Nordmazedonien sind aufzunehmen + die Visaliberalisierung für Kosovo zu gewähren. 4/6👇🏽
— Michael Roth MdB 🇪🇺🇺🇦 (@MiRo_SPD) April 23, 2022
Në Komisionin e Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, i cili është zhvilluar të enjten më 21 prill, debati ka qenë për draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë.
Vasilis Maragos nga Komisioni Evropian ka shprehur mirënjohje për qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë. Ai ka përshëndetur në veçanti edhe pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në konferencën e donatorëve për Ukrainën.
Maragos ka paralajmëruar se Komisioni do ta ndihmojë Kosovën për t’u përballur me pasojat ekonomike. Në mënyrë të veçantë, Maragos ka përmendur nevojën për investime në sektorin e energjisë, duke e quajtur krizën e fundit të furnizimit me energji në Kosovë si alarm për t’u zgjuar nga gjumi.
Ndryshe, të premten në Kosovë ishte për vizitë zyrtare presidenti i Letonisë, Egils Levits.
Ai në konferencë për media të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se shteti i tij mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Mendoj që është e rëndësishme që të anëtarësohet Kosova në organizatat ndërkombëtare dhe forume, ku do të përmendja këtu Këshillin e Evropës. Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropës”, ka thënë ai, transmeton RTV Dukagjini.
Ndërsa, sa i përket Bashkimit Evropian, ai është shprehur se Letonia është duke e mbështetur Kosovën, dhe se nuk ka pengesa që të mos jepet liberalizimi i vizave.
Levits ka shprehur mbështetje të plotë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si në Këshill të Evropës e në forume Të tjera.
“Ne kemi vërejtur që vitin e kaluar Kosova kishte progres në luftën ndaj korrupsionit. Po e vërej që ekzistojnë disa probleme sa i përket dialogut me Serbinë, shpresoj që këto bisedime do të kenë zhvillim më tutje”, ka shtuar Levits.
GIthashtu, gazetari gjerman Michael Martens ka deklaruar të premten e 22 prillit se Kosova ‘shumë shpejt’ do të iniciojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës (KE).