Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në seancën e 22 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës në lidhje me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për zyrtarët publikë ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në emër të platformës politike që kishte punësim e drejtësi sjell në Kuvend “një ligj që në thelbin e vet e varros meritokracinë në shërbimin publik në administratën shtetërore”.
Sipas tij, synimi dhe motivi i një zyrtari të shtetit që të rrijë dhe të mendojë për karrierën e vet “humb kur karriera e vet në ngritje varet prej partisë”.
“Nesër do të vjen një qeveri tjetër, secili ministër është i peng atij që thotë kam vota, peng i ndikimit politik, i cili nuk do ketë ngritje pa marrë librezën e partisë”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, edhe PDK e LDK e kanë kundërshtuar këtë projektligj.
Madje PDK ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë fare në votimin e projektligjit për zyrtarët publikë.
Kjo sepse sipas tyre i njëjti e cenon në thelb punën e administratës publike dhe e dëmton jashtëzakonisht shumë.