Kuvendi i Kosovës në seancën e 22 dhjetorit ka miratuar Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Për këtë projektligj votuan, gjithsej, 62 deputetë, 58 ishin pro, ndërsa katër ishin abstenime.
Opozita pati mjaft kritika për këtë projektligj.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë fare në votimin e projektligjit për zyrtarët publikë.
Kjo, sepse sipas tyre i njëjti e cenon në thelb punën e administratës publike dhe e dëmton jashtëzakonisht shumë.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me projektligjin për zyrtarë publikë, në thelb po varroset meritokracia në punësim publik.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se LDK-ja shpreh shqetësimet e saj për qasjen e kësaj qeverie në raport me 80 mijë njerëz që punojnë në administratën e Kosovës.