“Njëri nga të suspenduarit është infermiere me bachelor, tri prej tyre janë mami”.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Odës së Infermierëve dhe Mamive, Naser Rrustemaj për Radio Dukagjini në lidhje me shtatë punonjësit e suspenduar në Spitalin e përgjithshëm të Pejës pas rastit të foshnjës e cila e vdekur pasi ishte nxjerrë nga e ëma, dyshohet se ishte futur në rrobalarëse.
Rrustemaj në emisionin “Magazina” me Lirik Sylmetaj e Blerina Neziri ka thënë se ky rast është një “ndër rastet më të rënda që ka ndodhur ndonjëherë”.
Ai ka thënë do të shihet më tutje se çfarë do të veprohet me të suspenduarit.
“Do të shohim nëse janë anëtarë të kësaj ODE dhe do të shikohet se a kanë licencë, pastaj të merren masat e duhura”, ka vijuar Rrustemaj.
Në mbrëmjen e së mërkurës së 21 dhjetorit shtatë punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, janë suspenduar për shkak se dyshohet se një foshnje e pajetë ishte futur në rrobalarëse nga punonjësit e spitalit.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë, me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast, deri më tani ka suspenduar 7 punonjës dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, ky rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur javën e kaluar në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e pajetë është futur në rrobalarëse.
Ndërkaq, dyshohet se trupi i pajetë i foshnjës është bërë copa-copa.
Rastin për Portalin Dukagjini, e kanë konfirmuar nga Prokuroria e Pejës, duke bërë të ditur se pas marrjes së informatave, prokurorja e krimeve të rënda bashkë Inspektoratin shëndetësor kanë dalë në vend të ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, rasti është në fazën hetimore derisa kanë shtuar se janë duke i pritur raportet e Inspektoratit për veprime të mëtutjeshme.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Me të pranuar informatat ka dalë në vend të ngjarjes prokurorja e krimeve të rënda së bashku me Inspektoratin shëndetësor. Janë ndërmarrë disa veprime, jemi në fazë hetimore dhe në pritje të raportit nga Inspektorati shëndetësor. Sot kemi konsultuar edhe prindin e foshnjës, prokurorja e çështjes ka pasur takim me të. Pasi t’i pranojmë raportet nga inspektorati do të vendosim për të”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Nga Prokuroria nuk kanë dhënë më shumë detaje, duke u arsyetuar se janë duke u zhvilluar hetimet.