Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe synon t’i hapë rrugë punësimit masiv të ‘militantëve partiakë’. Teksa, ka shtuar se PDK nuk do të qëndrojë duarkryq por, do ta kundërshtojë një vendim të tillë dhe do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.
“Si përfundim, ky ligj ka vetëm një qëllim: duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundër kushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij”, ka shkruar Krasniqi.
Ndër të tjera, Krasniqi ka kritikuar Qeverinë dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se nuk po i mungojn dështimet në ekonomi, energji, ikje te të rinjëve dhe të tjera.
“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij”, ka shtuar Krasniqi.
Ai, ndër te tjera ka theksuar se përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë që u miratua sot në Kuvend synon largimin e zyrtarëve publikë dhe nënshtrimin e tyre, që sipas Krasniqit është shkelje e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Tani, përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, misioni i ri i kësaj Qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre. E gjithë kjo, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se ligji është në kundërshtim me detyrimet që Kosova ka marrë nga BE.
“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike”, ka përfunduar Krasniqi.