Afër 1 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës e kanë lënë punën për shak të pagesave të ulëta. Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, këtë e konsideron shqetësuese, raporton “ekonomiaonline”.
Sipas Qalajt, ikja e policëve është një alarm për Qeverinë dhe shoqërinë, për këtë arsye ai ka apeluar që të miratohet ligji pagave, që do të ndihmonte në stabilizimin e të ardhurave. Ish-drejtori i policisë ka theksuar se policët kanë kërkuar kushte më të favorshme.
“Që nga fillimi i punës së Policisë së Kosovës e deri më tash diku 1 mijë policë e kanë lëshuar Policinë e Kosovës, shumica prej tyre për shkaqe ekonomike, por ka pasur edhe të tjerë për shkaqe të tjera”.
”Unë mendoj se është shqetësuese normalisht, kur policët të cilët u nevojitet bukur gjatë të trajnohen, me trajnime të ndryshme bazike e pastaj edhe me trajnime të specializuara, detyrohen ta lëshojnë punën thjeshtë për shkaqe të kërkimit të një jete më të mirë, të një pune më të mirë”, ka thënë Qelaj.
Ndërsa, për shujtën dhe ndërrimin e natës, Qalaj tha se Qeveria duhet të bëjë përpjekje që të realizohet kërkesa e policëve.
Kryetari i Sindikates së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se ikja e profesionistëve po bëhet për shkak të kushteve që i ofron Kosova.
“Policia e Kosovës të gjitha detyrat i kryen me profesionalizëm jashtëzakonisht të lartë. Për shkak të kushteve të dobëta një numër i policisë kanë dhënë dorëheqje vullnetare, dhe diku nga themelimi i Policisë i kemi mbi 1 mijë pjesëtarë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga PK-ja”, ka thënë Zeqiri.
“Kemi informacione të ndryshme nga ambasadat të cilat vazhdimisht raportojnë për shqiptarët, të cilët po kërkojnë viza që të largohen nga Kosova, por, me theks të veçantë në Policia”.
”Unë mendoj që policët e Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi nuk po u dalin ‘hakësh’, mjaftueshëm në këtë aspekt, sepse të ardhurat personale nuk janë në raport me angazhimet e tyre. Dhe unë konsideroj që përveç çështjes që ka të bëjë me aspektin shëndetësor të tyre, duhet patjetër që në raport me punën dhe angazhimet e tyre policia të ketë të ardhurat personale jo për ‘sadakë’, por, ta ketë mirëqenien ashtu siç duhet dhe siç e meritojnë”.
Kompensimi monetar i policëve është në shpërputhje me punën që bëjnë ata.
Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli. ka thënë se kjo ëshë arsyeja që me mijëra policë po shkojnë nga Policia e Kosovës dhe ”do të shkojnë, nëse vazhdon kjo formë e tillë e perceptimit të Qeverisë ndaj tyre”.
Sheholli ka shtuar se Qeveria dhe Kuvendi nuk po i dalin “hakesh” Policisë së Kosovës.