Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dalë me një komunikatë pas rastit të foshnjës e cila e vdekur pasi ishte nxjerrë nga e ëma, dyshohet se ishte futur në rrobalarëse.
Ky spital ka bërë të ditur të premten se ka shkarkuar shefin dhe kryeinfermieren e repartit të Gjinekologjisë.
“Sot, si vazhdim i masave disiplinore është shkarkuar Shefi i Repartit të Gjinekologjisë dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, ndërsa që presim përfundimin e të gjitha procedurave tona disiplinore, por sidomos edhe gjetjet e autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në hetim për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme ndaj cilitdo të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, institucioni në fjalë ka shprehur keqardhjen e tyre për prindërit dhe për të gjithë qytetarët gjithandej vendit që janë shqetësuar për këtë rast.
Në ndërkohë është bërë e ditur se gjithçka që ka ndodhur është duke u hetuar nga Prokuroria prej ditës që është kuptuar për ngjarjen e rëndë, si dhe masat e tjera administrative janë ndërmarrë.
Në komunikatë thuhet se pretendimet se Spitali është përpjekur ta fshehë këtë rast nuk qëndrojnë aspak, pavarësisht se e gjithë ngjarja ishte pa dashje dhe e shkaktuar nga “pakujdesia e disa nga punëtorët tanë, kjo nuk e zvogëlon peshën e rëndë për rastin dhe keqardhjen tonë për këtë”.
Ky spital ka dhënë detaje në mënyrë kronologjike “se si ka ndodhur ngjarja”.
“Aborti me intervenim kirurgjik ka ndodhur në natën e datës 13.12.2022, ndërsa që ngjarja e frytit të vdekur ka ndodhur më 14.12.2022. Me t’u informuar për ngjarjen, menaxhmenti i Spitalit ka informuar organet e Policisë dhe po atë ditë deri në orë të vona, kemi ofruar bashkëpunimin tonë të plotë te Policia, Prokuroria e Inspektorati Shëndetësor që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe në të njëjtën kohë është informuar mbi ngjarjen drejtoria e ShSKUK”. Po në këtë ditë, Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin me një komunikatë që po e heton këtë rast, ndërsa është praktikë e njohur që për rastet e ndjeshme, me disa të përfshirë për realizim të hetimeve, informatat jepen të rezervuara”.
“Me përgjegjësi theksojmë se pavarësisht se policia ka raportuar rastin, nuk kemi pasur asnjë kërkesë të vetme nga mediat për informata lidhur me këtë rast. Padyshim që ne kemi pasur parasysh edhe faktin tjetër të deklaruar nga familjarët që të mos e rëndonim edhe më tutje gjendjen e nënës, meqë nuk ishte ende në dijeni për ndodhinë. Po ashtu, kemi iniciuar procedurat disiplinore të mënjëhershme nga ana jonë dhe me këtë rast janë suspenduar shtatë punonjës të Spitalit, më datë 16.12.2022, menjëherë pas identifikimit se kush ka qenë i përfshirë sipas përgjegjësisë së veprimit a mosveprimit”, vijon tutje komunikata.
Ndryshe, ky rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur javën e kaluar në Spitalin e Pejës, ku një foshnjë e pajetë është futur në rrobalarëse.
Në mbrëmjen e së mërkurës së 21 dhjetorit shtatë punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës janë suspenduar për shkak se dyshohet se një foshnjë e pajetë ishte futur në rrobalarëse nga punonjësit e spitalit.