Këtë të premte Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” për periudhën 2019-2021.
Në rezultate të këtij auditimi thuhet se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerale, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620 mijë e 307 euro dhe arritjes së rentabilitetit.
“Trepça” Sh.A nuk ka arritur të krijojë as parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare. Rezultatet e auditimit kanë nxjerr në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Analizat e indikatorëve kyç të performancës financiare kanë rezultuar me tregues negativ për gjendjen e rënduar financiare që e ka përcjellë kompaninë ndër vite. Teknologjia dhe infrastruktura e vjetëruar në Trepça Sh.A, si dhe mungesa e investimeve kapitale kanë ndikuar në produktivitet të ulët. Përderisa rrjedhjet (humbje) e mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xehes ishin rezultat i teknologjisë së vjetëruar dhe mungesës së investimeve kapitale dhe mos standardizimit të procesit të punës në flotacione”, theksohet në raport.
Në raportin e ZKA-së thuhet se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit, si rezultat i mungesës së analizës dhe identifikimit të nevojave për angazhim të stafit në prodhim nëpër njësi biznesore, me synim të ngritjes së produktivitetit.
“Shpallja e konkurseve të paplanifikuara në plan të biznesit, tejkalimi i stafit të punësuar në njësitë biznesore në krahasim me shpalljen e konkursit publik si dhe angazhimi i punëtorëve me punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta pa shpallje të konkursit publik, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të cilat kishin rezultuar edhe me shpenzime shtesë gjatë periudhës 2019-2021”.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të vendos sisteme dhe kontrolle të brendshme adekuate të cilat do ta mbështesnin arritjen e performancës financiare dhe operative pozitive, me theks në procesin e prodhimit.