Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha ka thënë se KFOR-i është duke gabuar në politizimin e pozitës së vet gjë e cila sipas tij, bën që të humbasë kredibilitetin te qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, Basha ka reaguar pas deklaratës së komandantit të KFOR-it i cili thoshte se vazhdon të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ndërkaq, Basha ka thënë se nuk beson që një deklaratë e tillë do mbështetej nga Amerika.
“Pas 15 dite, KFOR-i paska thanë që duhet dialog me bandën e Radojçiqit për zhbllokimin e barrikadave! A keni fol me ambasadën se ky me shokë janë n’listën e zezë të Amerikës? Nuk besoj që Amerika ua miraton këtë deklaratë! Tjetra, po i njëjti me shokë janë të kërkuar prej forcave tona policore për plotë vepra kriminale! Kur të takohen me policinë nuk ka dialogim, veç arrestim! KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre!”, ka thënë Basha.
Krahas kësaj, ai ka thënë se KFOR-i ose mund të na ndihmojë ose “të lirojë rrugën”.
“Nëse dëshironi me qëndru indiferent ndaj kriminelëve, në rregull, vetëm lëshoni udhë sepse policia jonë është deklaru që ka kapacitete me i hjek pengesat, por m’u nënshtru asnjëherë!”, thuhet në postimin e Bashës.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se në misionin e tij të udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës.
Ristuccia ka thënë se ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.
“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e komandantit të KFOR-it.
Ristuccia ka thënë se KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit.
“Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, ka thënë komandanti i KFOR-it.
Më 10 dhjetor, grupe të serbëve në veri ngritën barrikada në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Qeveria e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it që të largojë barrikadat, ndërkaq ka thënë se ka kapacitete që këtë gjë ta bëjë edhe vetë.