Faton Klinaku nga OVL “UÇK” ka thënë se ndonëse EULEX kishte mandatin për t’i gjykuar krimet e luftës, ai gjykoi vetëm shqiptarët.
I pranishëm në protestën e thirrur nga Partia Socialdemokrate (PSD), gjersa brohoriti tri herë “UÇK”, Klinaku ka thënë se një gjë të tillë po e bën edhe Specialja.
“Që nga përfundimi i luftës së UÇK-së, edhe pse Kosova është shtet i pavarur, populli është përballur dhe vazhdon të përballet me shumë sfida në drejtësi. UNMIK-u kishte mandatin të gjykonte krimet e luftës të kryera në Kosovë, por gjykoi vetëm shqiptarët. EULEX kishte mandat të gjykonte krimet e kryera në Kosovë, por gjykoi vetëm shqiptarët. Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serb”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Klinaku ka thënë se të njëjtit gjykuan vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë, deri në pikën ku e kishte cilësuar si “organizatë kriminale”. Ai theksoi se organizatat kishin kërkuar vazhdimisht që me krimet e luftës të merren gjykatat vendore.
“Për shkak të padrejtësive që bëheshin, Organizatat e dalura nga Lufta kanë qenë kundër themelimit të kësaj gjykate për çka kemi mbajtur edhe protestë para Kuvendit të Kosovës, dhe vazhdimisht kemi kërkuar që me krimet e luftës të merren gjykatat vendore për arsye se ndërkombëtaret e kishin dhe e kanë target vetëm UÇK-në dhe jo krimet e kryera në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale.
Pjesë e protestës ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës siç janë Ganimete Musliu, Hisen Berisha nga radhët e PDK-së dhe Ariana Musliu-Shoshi.