Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të shtunën ka thënë se tashmë janë bërë dy javë prej kur janë vendosur barrikadat në veri të vendit.
“KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë dhe të sigurt me vlerë kryesore lirinë e lëvizjes, të cilën e ka afirmuar që nga paslufta në Kosovë. Andaj dhe ne i kemi dhënë kohë KFOR-it pikërisht se liria e lëvizjes ka qenë vlera kryesore në Republikën e Kosovës nga pikëpamja e KFOR-it”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar së tashmë nuk e kemi lirinë e lëvizjes sepse janë 11 barrikada që nuk janë civile dhe sipas tij, nuk janë barrikada të francezve të vitit 1968 në Paris.
“Janë barrikada të njërëzve të uniformuar, të armatosur dhe të cilat janë të pikësynuara asisoj që më shumë kanë të bëjnë për të mbrojtur personin e uniformuar dhe të armatosur që të shtij mbi veturat që vijnë, sesa të lejojnë që të tejkalojnë lëvizjen e veturave nga ana tjetër e barrikadës”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri Kurti ka potencuar se barrikadat në veri të vendit nuk janë barrikada civile gjersa ka shtuar se shpreson që pas Krishtlindjeve të ketë një takim më komandantin e KFOR-it dhe të sqarohen rreth kësaj situate.
“Por kjo nuk mund të tolerohet dhe nuk mund të lejojmë që dhe javë të tjera të na kalojnë dhe të mos e kemi lirinë e lëvizjes”, ka thënë tutje Kurti.