Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës(SSHCK) ka reaguar pas mbështetjes që kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i dha Qeverisë për Ligjin për Pagat dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Në reagimin e SSHCK-së thuhet se në vazhdimësi i ka dhënë vërejtjet në Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin e Pagave, duke i dërguar këto vërejtje me shkrim në Ministri dhe në Komisionet Parlamentare.
“Për këto qëndrime, është mirë i informuar edhe vetë Atdhe Hykolli, i cili për çudi, pa dijeninë e kryesisë së BSPK, por edhe Federatave të tjera Sindikale, del me qëndrim të kundërt, sa për t’i hyrë në hatër Kryeministrit Kurti, duke e tradhtuar rëndë detyrën-misionin që i është besuar e që është: mbrojtja e interesave të punëtorëve”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës.
“Një veprim i tij i dyshimtë është vërejtur edhe gjatë kohës sa ishin duke u mbajtur grevat e BSPK e që zgjatën rreth pesë javë, derisa z.Hykolli, takohej me Qeverinë fshehurazi dhe pa dhënë sqarime se çka u bisedua në ato takime”.
Në reagimin e SSHCK tutje thuhet se “po të ishte dinjitoz në detyrën e tij, ai nuk do të duhej takuar me Kryeministrin Kurti pa qenë prezent edhe dikush nga kryesia”.
“Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës-SSHCK, i bën thirrje Presidentes së vendit, znj.Vjosa Osmanit, si gardiane e Kushtetutës, që të mos i dekretojë këto dy Ligje dhe të ndërpresë çdo iniciativë që shkon në dëm të mbrojtjes ligjore të të drejtave të shërbyesve civilë dhe publikë në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e SSHCK-së.
Të premten e 23 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
“U tha se BSPK ka mirëpritur votimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe atë për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa u vlerësua edhe ndikimi pozitiv i Pakos për përballje me inflacionin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.
Tutje, në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka falënderuar kryetarin e BSPK-së për bashkëpunimin në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe ka theksuar se Qeveria mirëpret vazhdimin e dialogut social edhe në vitin 2023.